Padrejtësia do të jetë errësirë Ditën e Kiametit

Allahu mund ta falë atë që robi e ka lënë mangut ndaj Tij, por hakun e njeriut nuk e fal derisa ta falë vetë pronari i tij. Tri llojet e padrejtësisë dhe lutja që nuk ka perde.
Dijetarët e kanë përkufizuar padrejtësinë (zullumin) si vendosjen e gjësë jo në vendin e saj. Kur ia merr dikujt atë që i takon, ose ia jep atë që nuk e meriton, ose e trajton ndryshe nga ç'ka urdhëruar Allahu — kjo është padrejtësi.
«Padrejtësia do të jetë errësira të shumta Ditën e Kiametit.»
— Buhariu, nr. 2447; Muslimi, nr. 2579
Atë ditë besimtarët do të ecin me dritën e tyre, ndërsa zullumqari do të ecë në errësirë — aq më e dendur, sa më shumë padrejtësi të ketë bërë.
Tri llojet e padrejtësisë
- Ndaj Allahut — më e madhja, shirku: «Vërtet, shirku është padrejtësi e madhe» (Llukman, 13).
- Ndaj vetes — me gjynahe dhe me neglizhim të detyrave ndaj Allahut.
- Ndaj njerëzve — në gjak, në pasuri, në nder, në fjalë dhe në sjellje.
Dijetarët kanë thënë: hakët e Allahut bazohen në falje dhe bujari, ndërsa hakët e njerëzve bazohen në kërkim të plotë. Allahu mund ta falë me mëshirën e Tij atë që robi e ka lënë mangut ndaj Tij, por hakun e njeriut nuk e fal derisa ta falë vetë pronari i tij.
Allahu i jep afat, por nuk e harron
«Dhe kurrsesi mos mendo se Allahu është i pavëmendshëm ndaj asaj që punojnë zullumqarët…»
— Ibrahim, 42
Pejgamberi ﷺ ka thënë: «Allahu i jep afat zullumqarit, por kur ta kapë, nuk e lë më.» (Buhariu, nr. 4686; Muslimi, nr. 2583)
Lutja që nuk ka perde
Kur e dërgoi Muadhin në Jemen, Pejgamberi ﷺ i tha: «…Dhe ruaju nga lutja e të dëmtuarit, sepse mes saj dhe Allahut nuk ka perde.» (Buhariu, nr. 1496; Muslimi, nr. 19)
✿ Këshillë për zemrën
Mos e mat padrejtësinë me madhësinë e saj në sytë e tu, por me madhësinë e Atij që e ka ndaluar. Një fjalë që e poshtëron dikë, një lek që nuk ishte yti, një orë pune që nuk ia pagove dikujt — mund të të duken të vogla. Por Ditën e Kiametit nuk do të ketë gjë të vogël.
📖 Lexo më shumë — ky shkrim është marrë nga libërthi Mos më bëj padrejtësi i RTV Nur. Faqet e para mund t'i lexosh falas.
Shpërndaje këtë postim: ndoshta dikush që e do ka nevojë ta lexojë sot.
Etiketa: padrejtesia, haku, drejtesia, ahireti